Sot, në ambientet e Qendrës së Burimeve Qytetare në Shkup, u mbajt konferenca përmbyllëse me temë “Funksionaliteti i Komisioneve të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive (KMNB)”, e organizuar nga Organizata “Vlerat e Përbashkëta”, në kuadër të projektit “Ndërtojmë Ura”, të mbështetur nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga institucionet komunale, anëtarë të komisioneve për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë dhe mediave, të cilët diskutuan mbi rëndësinë, rolin dhe sfidat me të cilat përballen këto komisione në komunat multietnike të Maqedonisë së Veriut.
Konferenca u hap nga Florent Bajrami, koordinator i projektit “Ndërtojmë Ura”, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmave lokalë për dialog ndërmjet bashkësive dhe nevojën për të transformuar KMNB-të nga struktura formale në mekanizma funksionalë të bashkëjetesës lokale.
Në vijim, Prof. Assoc. Dr. Natalia Shikova nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik prezantoi analizën e kornizës ligjore dhe praktikat aktuale në funksionimin e KMNB-ve.
Nadir Rexhepi, ekspert për qeverisje lokale, foli për rëndësinë e përfaqësimit të barabartë dhe transparencës në punën e komisioneve.
Milsim Hasipi, ekspert për burime nejëzore dhe zhvillim ndër-komunitar, theksoi se komisionet janë instrument kyç për ruajtjen e harmonisë ndëretnike, por shpesh përballen me mungesë funksionaliteti për shkak të mosaktivizimit të rregullt dhe mungesës së trajnimeve për anëtarët.
Në panel mori pjesë edhe Ahmet Jasharovski nga Komuna e Kumanovës, i cili ndau përvojën pozitive të komunës në forcimin e rolit të KMNB-së përmes bashkëpunimit me komunitetet lokale.
Në pjesën e fundit, u zhvillua një diskutim i hapur, i moderuar nga Florent Bajrami, ku pjesëmarrësit ndanë ide për standardizimin e punës së komisioneve, rritjen e kapaciteteve të tyre dhe përfshirjen më aktive të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes lokale.
Konferenca u përmbyll me rekomandime konkrete për përmirësimin e funksionalitetit të KMNB-ve dhe përmirësimin e dialogut ndër-komunitar në nivel lokal, duke përforcuar mesazhin se bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet bashkësive nuk janë gjendje spontane, por proces që kërkon përkushtim të përbashkët institucional dhe qytetar.
Linku për Analizën zaednicki vrednosti

Shpërndajeni!